Sunday, October 25, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu: Letrat e Xhevës dhe Fehmiut, dëshmi e dashurisë e sakrificës për...

Haxhiu: Letrat e Xhevës dhe Fehmiut, dëshmi e dashurisë e sakrificës për Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar rëndësinë e letrave të dashurisë mes Fehmi dhe Xhevë Krasniqi Lladrovcit, të cilat u prezantuan për herë të parë për publikun në ekspozitën “Një mur na ndan”, në muzeun “Reporting House” në Prishtinë.

Haxhiu e ka cilësuar historinë e çiftit si një rrëfim të veçantë dashurie, që i qëndroi ndarjes, burgut dhe përndjekjes, ndërsa theksoi se të dy ia kushtuan një pjesë të madhe të jetës së tyre lirisë së Kosovës.

“Historia botërore njeh rrëfime të panumërta dashurie, por pak prej tyre mbartin fatin tragjik dhe madhështinë e dashurisë së Xhevës dhe Fehmiut. Një dashuri që u qëndroi mureve të burgut, viteve të ndarjes dhe përndjekjes, dhe që nuk u shua as në çastet e fundit të jetës së tyre.

“Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete”, shkruante Ali Podrimja në poezinë e tij “Koha është të duhemi”.

Është e pamundur t’i lexosh këto vargje e të mos mendosh për Xhevën dhe Fehmiun. Për dy heronjtë tanë që e deshën aq shumë njëri-tjetrin, por që një pjesë të madhe të jetës së tyre ia kushtuan lirisë së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ajo ka theksuar se letrat zbulojnë anën njerëzore të dy heronjve, të cilët përveç dashurisë për njëri-tjetrin, ndanin ëndrrat për jetën e përbashkët, librat dhe të ardhmen.

“Këtu, përmes letrave të tyre, njohim dy të rinj që shkëmbenin letra dashurije, që bënin shaka, flisnin për librat, për dasmën dhe për jetën që ëndërronin ta ndërtonin bashkë.

“Xheva ishte një grua e jashtëzakonshme, intelektuale, veprimtare dhe luftëtare, që e kishte zgjedhur vetë rrugën e saj. Fehmiu ishte njeriu me të cilin ndante dashurinë dhe idealin e lirisë. Ata e deshën njëri-tjetrin me të njëjtën vendosmëri me të cilën luftuan për Kosovën.

Më prek veçanërisht fakti se këto letra janë plot jetë, plot shpresë dhe besim në të ardhmen, ndonëse ne sot e dimë fundin tragjik të historisë së tyre.

Xheva shkruante: “Një mur na ndanë në mes. Po ku ndahen zemrat që rrahin si një zemër”.”

Haxhiu ka kujtuar se Xhevë dhe Fehmi Krasniqi Lladrovci ranë së bashku më 22 shtator 1998, pa arritur ta përjetonin Kosovën e lirë.

“Ata ranë së bashku më 22 shtator 1998, pa arritur ta jetonin Kosovën e lirë për të cilën kishin ëndërruar aq shumë.

“E jotja gjer në varr”, i shkruante Xheva Fehmiut. Dhe i mbeti besnike fjalës së saj deri në fund.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia dhe tragjedia e kësaj dashurie. Ata ishin të gatshëm të jepnin jetën për lirinë, por letrat e tyre na tregojnë se sa shumë kishin dashur të jetonin.

Ata e dinin çmimin që mund të kishte kjo përpjekje dhe megjithatë nuk hoqën dorë. Sot, Kosova e lirë është dëshmia më e madhe e sakrificës së tyre dhe e të gjithë atyre që luftuan për të”, theksoi Haxhiu.

Sipas saj, ruajtja dhe prezantimi i këtyre letrave ka rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën kolektive dhe brezat e ardhshëm, pasi përmes tyre historia merr zë dhe ndjenjë.

“Prandaj, ruajtja e këtyre letrave ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Përmes tyre, historia jonë merr zë, fytyrë dhe ndjenjë. Ato na lejojnë t’i njohim heronjtë tanë edhe përtej betejave, të kuptojmë çfarë ëndërronin, çfarë i mbante të fortë dhe çfarë lanë pas”, ka thënë, ndër të tjera, ajo.

Haxhiu ka përgëzuar muzeun “Reporting House” për prezantimin e letrave, si dhe familjarët që i kanë ruajtur ato ndër vite.

“Dua ta përgëzoj muzeun Reporting House që po i nxjerr për herë të parë para publikut këto letra kaq të çmuara, si dhe familjarët që i kanë ruajtur me aq kujdes ndër vite. Është një kontribut i vyer për kujtesën tonë kolektive dhe për brezat që do të vijnë”, ka përfunduar Haxhiu.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram