Radomir Dimiq, kryetar i Multietnikës së Kosovës, ka përshëndetur fitoren e studentëve në Serbi, duke kërkuar që vendi të ndërtojë një të ardhme demokratike dhe evropiane, si dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Bravo, studentë! E mposhtët diktatorin, Daçiqin dhe Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) të Millosheviqit i dërguat në deponinë e historisë. Tani bisedoni me fqinjët dhe ndreqni atë që la pas diktatori. Si fillim, Radoiçiqi duhet të përgjigjet për terrorizmin në Banjskë”, ka shkruar Dimiq.
Ai ka uruar studentët për fitoren, duke shprehur dëshirën për një Serbi normale dhe demokratike, e orientuar drejt Evropës dhe jo Rusisë.
“Ju përgëzoj për fitoren dhe ju dëshiroj një Serbi normale dhe demokratike, jo pro-ruse, por proevropiane”, ka shkruar ai në X.
Dimiq ka theksuar gjithashtu se, ndonëse i mbështet studentët dhe rininë serbe, për të Kosova mbetet më e rëndësishme, duke kërkuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
“E kam mbështetur këtë rini dhe e dua, por më shumë e dua Kosovën time, të cilën duhet ta respektoni. Respektoni integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe çdo viktimë që ka dhënë jetën për Kosovën”, ka shkruar Dimiq.

