Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe llogaridhënie për rastin e Arlinda Zekajt, duke thënë se institucionet nuk arritën ta mbrojnë një grua që, sipas saj, kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, Hoxha tha se fjalën e saj dëshiron ta shprehë para së gjithash si grua, duke theksuar dhimbjen dhe zemërimin për rastin tragjik.
Ajo tha se Arlinda Zekaj, para se të vritej, i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë me shqetësimet e saj për frikën, dhunën dhe rrezikun që po përjetonte. “Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë atë”, deklaroi Hoxha, duke theksuar se rasti ngre pikëpyetje serioze për reagimin e institucioneve ndaj kërkesave për mbrojtje.
Ajo tha se rasti i Arlindës nuk duhet të mbetet vetëm një tjetër emër në listën e grave të vrara si pasojë e dhunës dhe, siç u shpreh ajo, e neglizhencës institucionale. “Edhe sa gra të tjera nuk duhet të jenë me ne? Duhet të vriten që institucionet tona të kuptojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private? Nuk është! Është alarm shtetëror”, tha Hoxha.
Ajo theksoi se, pavarësisht ekzistimit të ligjeve, urdhrave mbrojtës, policisë dhe prokurorisë, mbrojtja e grave nuk mund të garantohet nëse këto mekanizma nuk zbatohen në praktikë.
Hoxha kërkoi hetim të plotë dhe transparent për rastin, si dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë apo mosveprim institucional që mund të ketë kontribuar në tragjedi.
Deputetja rikujtoi edhe përmbajtjen e letrës që, sipas saj, Arlinda Zekaj ia kishte drejtuar institucioneve, duke veçuar paralajmërimin e saj për rrezikun që i kanosej. “Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të më jetë marrë jeta ime”, citoi Hoxha nga letra e Arlindës.
Ajo shtoi se kjo thirrje duhet të shërbejë si alarm për institucionet dhe shoqërinë, në mënyrë që kërkesat për ndihmë të mos neglizhohen dhe masat mbrojtëse të zbatohen me kohë.
Në fund, Hoxha bëri të ditur se grupi parlamentar që ajo përfaqëson do ta mbështesë themelimin e komisionit hetimor dhe punën e tij, duke theksuar se nevojiten hapa konkretë për të zbardhur rrethanat e rastit . “Asnjë grua nuk duhet të vdesë duke pritur ta shpëtojë shteti”, përfundoi Hoxha.

