ATSH
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedimin penal për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet më 24 tetor, si dhe për dyshimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të hetimeve janë administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë dhe kartela mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës. Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Prokuroria bën të ditur se, po punohet për përcaktimin e mënyrave të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë tyre.
Në të njëjtin procedim po hetohen edhe rastet e dëmtimit të disa shtetasve të tjerë, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestës.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, ndërsa verifikimet vijojnë në bashkëpunim me AMP-në.
Sipas Prokurorisë, hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.

