Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke theksuar se institucionet duhet të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka deklaruar se vrasja e Arlindës nuk është rast i veçuar, por një fenomen që kërkon reagim dhe përgjegjësi institucionale.
“Pa asnjë dyshim, vrasja e Arlindës është një tragjedi që na ka tronditur të gjithëve, por nuk është rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon të reflektojmë dhe, mbi të gjitha, të kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se nuk mjafton vetëm shprehja e ngushëllimeve dhe dënimi i rastit, por nevojiten veprime konkrete.
“Nuk mjafton vetëm të shprehim ngushëllime. Nuk mjafton vetëm të dënojmë rastin. Nuk mjafton të vazhdojmë të flasim vetëm atëherë kur ndodhin tragjeditë. Sot do të duhej të kishte reflektim, do të duhej të kishte dorëheqje do të duhej të kishte shkarkim, mos kurrgjë si veprim etik ndaj një ngjarje e cila i shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, por edhe në raport me përgjegjësinë e institucioneve.

