Wednesday, October 28, 2026
HomeLajmeKosovëPacolli: Prishtina po keqmenaxhon `Pastrimin`, gjoba edhe për komunat tjera

Pacolli: Prishtina po keqmenaxhon `Pastrimin`, gjoba edhe për komunat tjera

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për mungesë vullneti në përmbushjen e obligimeve dhe për keqmenaxhim të ndërmarrjes publike “Pastrimi”. Ajo ka bërë të ditur se Ministria ka shqiptuar gjoba ndaj disa komunave dhe kompanive publike për dështimin në menaxhimin e mbeturinave.

Ministrja Pacolli në një konferencë për media ka deklaruar se gjendja me menaxhimin e mbeturinave në disa komuna të Kosovës është shqetësuese, duke theksuar se institucionet qendrore nuk mund të qëndrojnë pasive përballë situatave që rrezikojnë shëndetin publik dhe mjedisin.

Duke folur për situatën në Prishtinë, Pacolli ka thënë se Komuna nuk po i përmbush obligimet e saj, ndërsa ka ngritur akuza për keqmenaxhim të ndërmarrjes publike “Pastrimi”.“Komuna e Prishtinës, përveçse po tregon mungesë vullneti për t’i kryer obligimet e saj, po e keqmenaxhon ndërmarrjen publike ‘Pastrimi’”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo ka bërë të ditur se Ministria ka ndërmarrë dhjetëra aksione inspektimi dhe ka vendosur mbikëqyrje më të rreptë për të parandaluar keqmenaxhimin e mbeturinave.

Sipas saj, ditëve të fundit janë shqiptuar gjoba ndaj disa institucioneve dhe kompanive publike.“Për të mbrojtur shëndetin publik, nuk mund të rrimë duarkryq kur krijohen situata emergjente, edhe pse kompetencat tona në menaxhimin e mbeturinave janë të kufizuara”, ka thënë ministrja.

Pacolli gjithashtu ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës është gjobitur dy herë, me nga 5 mijë euro, ndërsa Komuna e Istogut me 5 mijë euro.

Gjoba janë shqiptuar edhe ndaj kompanive rajonale të mbeturinave. “Pastrimi” në Prishtinë është gjobitur me 2 mijë euro, “Ambienti” në Pejë me dy gjoba, njëra prej 5 mijë eurosh dhe tjetra prej 2 mijë eurosh, ndërsa kompania “Higjiena” në Deçan me 2 mijë euro.

Ministrja ka paralajmëruar se kontrollet në terren do të vazhdojnë, përfshirë monitorimin përmes dronëve dhe kamerave, ndërsa ka apeluar te qytetarët që mbeturinat t’i dërgojnë në deponitë e licencuara.

Ajo tutje shtoi se deponitë legale në rajone janë të hapura çdo të shtunë dhe se qytetarët që hedhin mbeturina në vende të ndaluara do të përballen me masa ndëshkuese.

Gjatë konferencës, Pacolli ka bërë të ditur se përmes programit për pastrimin e deponive ilegale, për të cilin janë ndarë 1 milion euro për kompanitë rajonale, janë larguar mbi 8 mijë tonë mbeturina.

Sipas saj, ky proces ka nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të kompanive rajonale, të cilat, siç ka thënë ajo, përballen me keqmenaxhim dhe mungesë kritike të mjeteve të punës.

Për këtë arsye, ministrja ka njoftuar se është planifikuar buxhet shtesë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në situatat kur komunat ose rajonet dështojnë në menaxhimin e mbeturinave.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Pacolli ka qenë gjendja në deponinë e Mirashit, për të cilën ajo ka thënë se ekziston nevojë urgjente për mbyllje, për shkak të mbingarkesës dhe rrezikut të një katastrofe ekologjike.

Ajo ka theksuar se caktimi i lokacionit për ndërtimin e Qendrës për Menaxhimin e Mbeturinave në Lipjan ishte i domosdoshëm për të mundësuar këtë proces, por edhe për të përmbushur kushtet për sigurimin e financimit prej 50 milionë eurosh nga qeveria gjermane.

Sipas ministres, vlerësimi strategjik mjedisor për qendrën e re ka përfunduar, ndërsa pas mbylljes së Mirashit parashihet rehabilitimi i hapësirës dhe shndërrimi i saj në zonë të gjelbër dhe park mbrojtës.

Pacolli ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës, ku deponia ilegale në Zveçan, sipas saj, paraqet rrezik për ndotjen e lumit, përhapjen e zjarreve në pyjet përreth dhe shëndetin publik.

Ajo ka bërë të ditur se është përcaktuar lokacioni për deponinë e re, e ndërtuar me investime të Bashkimit Evropian, dhe se pas takimeve me zyrën e BE-së është arritur pajtim në parim për hapjen e saj së shpejti.

Pacolli ka njoftuar se reforma do të përfshihet në ligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbeturinave, i cili parasheh sistemin e kthimit të depozitës për shishet e plastikës dhe të qelqit, si dhe përgjegjësi më të madhe të prodhuesve për trajtimin e mbetjeve, përfshirë gomat, bateritë dhe pajisjet elektrike shtëpiake.

Sipas saj, ligji i ri do të krijojë mundësi për ndërhyrje të drejtpërdrejta emergjente nga Ministria në rastet kur komunat dështojnë në menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, parashihet ndarja e Kosovës në pesë zona të menaxhimit, me synim rritjen e riciklimit dhe shndërrimin e mbeturinave në vlerë ekonomike.

Në fund, ministrja ka njoftuar edhe për zgjatjen e afatit të aplikimit për skemën e mbështetjes financiare për bizneset e reja dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që investojnë në riciklim, menaxhim të mbeturinave dhe ekonomi qarkore.

Ajo ka bërë të ditur se afati do të shtyhet edhe për 15 ditë, ndërsa në bashkëpunim me UNDP-në, bizneset përfituese do të marrin edhe mbështetje profesionale, veçanërisht bizneset e reja.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram