Qeveria e Kosovës ka miratuar tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë, që synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe luftimin e kriminalitetit.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se marrëveshja për ekstradim përcakton procedurat dhe kushtet për ekstradimin e personave të kërkuar, si për ndjekje penale, ashtu edhe për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore.
Ajo theksoi se marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike krijon bazë ligjore për shkëmbimin e provave dhe zhvillimin e procedurave penale përtej kufijve shtetërorë.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje e forcon kapacitetin e Republikës sonë për të bashkëpunuar me autoritetet e Suedisë në hetimin dhe trajtimin e veprave penale, duke lehtësuar sigurimin e provave dhe zhvillimin e procedurave penale përtej kufijve shtetërorë”, deklaroi Gërvalla.
Ndërkaq, marrëveshja për transferimin e personave të dënuar parasheh mundësinë që ata ta vazhdojnë vuajtjen e dënimit në shtetin ku kanë banimin e përhershëm.
Sipas ministres, kjo synon të lehtësojë rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, duke përcaktuar kushtet dhe procedurat e transferimit ndërmjet dy vendeve.

