Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në rastin e njohur si “Masakra e Padalishtës”, e kryer më 26 mars 1999 në Komunën e Istogut nga forcat serbe.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, hetimet për dokumentimin e këtij rasti janë zhvilluar për një periudhë të gjatë kohore nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale.
“Në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, hetuesit e Sektorit për Krime Lufte kanë ndërmarrë edhe veprime operative, në përputhje me autorizimet përkatëse, duke angazhuar njësi në terren dhe si rezultat i këtyre veprimeve, sot, më 29.10.2026 janë lokalizuar dhe arrestuar dy të dyshuar Z.B., dhe G.B.”, thuhet në njoftim.
Arrestimet janë realizuar në fshatrat Osojan dhe Cerkolez të Komunës së Istogut.
Sipas njoftimit, të gjitha veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do te ndërmerren në bashkërendim me Prokurorinë Speciale.
Forcat serbe vranë 19 anëtarë të familjes Imeraj në fshatin Padalishtë të komunës së Istogut, në atë që njihet si “Masakra e Padalishtës.”

