Ka nisur nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, i cili po mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Pas hapjes së natës së parë të edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, ka nisur gara me interpretimet e para konkurruese.
Këngëtari Besmir Shishko është prezantuar me këngën e tij “Përjetësisht”, me muzikë të Armend Shalës dhe Besmir Shishkos, si dhe tekst të vetë Shishkos. Orkestrën e ka dirigjuar Liriona Sulajmani.
Pas tij, në skenën e festivalit është ngjitur Shpend Lleshi, i njohur edhe si Pena, me këngën “Vala”, për të cilën ka realizuar vetë muzikën dhe tekstin. Orkestrën e ka dirigjuar maestro Memli Kelmendi.
Lleshi, me prejardhje nga Gjakova, është prezantuar para publikut nga moderatori edhe si veteran i UÇK-së, por që kësaj radhe ka ardhur një dimension tjetër, duke sjellë në skenën e “Akordeve të Kosovës” pasionin e tij për muzikën.
Këngëtarja Verona Kastrati është ngjitur në skenën e natës së parë të edicionit të katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, me këngën “Flakë”.
Kënga është shkruar dhe kompozuar nga Valon Gashi, i cili këtë edicion nuk është pjesë e orkestrës së festivalit, por garon në një rol tjetër, si autor i një prej këngëve konkurruese.
Këtë e ka bërë të ditur moderatori Agron Krasniqi, duke theksuar se Gashi këtë herë është i pranishëm në festival përmes krijimtarisë së tij muzikore.
Këngëtarja nga Shqipëria, Sajana Kodheli, është konkurrentja e radhës që është ngjitur në skenën e “Akordeve të Kosovës”, me këngën “E lirë”. Muzika e këngës është realizuar nga Klodian Reçepaj, ndërsa tekstin e ka shkruar Sonja Vokopola.
Gjatë prezantimit të këngës, moderatorët kanë theksuar pjesëmarrjen e madhe të artistëve nga Shqipëria në këtë edicion, duke vënë në pah rëndësinë e artit dhe kulturës në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Këngëtarja e re Troja Bicurri është prezantuar me këngën “Mali dhe hëna”. Tekstin dhe muzikën e këngës i ka realizuar vetë Troja, e cila në skenë u paraqit me kitarë.
Gjatë prezantimit të saj moderatorja Flaka Latifi citoi vargjet hyrëse të këngës: “Unë vij nga fshati pranë lumit, e rritur nën qiell. Ai nga qyteti me stil, jeton në kështjellë”.
Grupi muzikor Hawolf kanë sjellë një stil ndryshe muzikor në konkurrimin e këtij edicioni. Grupi përbëhet nga katër vëllezër me mbiemrin Havolli, të cilët para publikut kanë interpretuar këngën “Ti s’je unë”.
Muzika, teksti dhe interpretimi janë realizuar nga vetë grupi Hawolf, i cili sjell një kombinim të rock-ut alternativ me elemente të heavy metal-it.
Mbrëmja muzikore po drejtohet nga moderatori i RTK-së, Agron Krasniqi dhe aktorja Flaka Latifi, ndërsa festivali po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

