Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Këtë e ka konfirmuar për RTK-në zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Sipas saj, intervistimi është zhvilluar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi””, tha ajo.

