Monday, November 2, 2026
HomeKulturëDalina Haxhiu fiton edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”

Dalina Haxhiu fiton edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”

Dalina Haxhiu është fituese e edicionit të parë të “Akordeve për Fëmijë”, pjesë e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”. Ajo fitoi çmimin e parë, Okarinën e Artë për Fëmijë, me këngën “Ëndrra ime s’fle”.

Mbrëmja e tretë e festivalit, kushtuar fëmijëve, solli në skenën e sallës “1 Tetori” në Prishtinë 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan këngët e tyre drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

E pyetur për mesazhin që dëshironte t’ua përcillte fëmijëve që po e ndiqnin festivalin, fituesja tha se ata duhet të vazhdojnë të ëndërrojnë. “Duhet të ëndërrojnë gjithmonë dhe mos të dorëzohen kurrë, siç thotë edhe teksti i këngës sime”, u shpreh Dalina Haxhiu.

Çmimin e dytë, Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa çmimi i tretë, Okarina e Bronztë për Fëmijë, iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Ndërkaq, çmimi për tekstin më të mirë iu nda Aksa Sulejmanit për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Çmimin për tekstin më të mirë ia dorëzoi aktorja dhe gazetarja e Redaksisë së Fëmijëve në RTK, Anisa Ismaili. E emocionuar pas marrjes së çmimit, Aksa tha se mesazhi i këngës së saj është që njerëzit të kënaqen në çdo moment të jetës.

Në garën e këtij edicioni morën pjesë 15 artistë të rinj. Festivalin e hapi Kori Okarina me këngën “O vendi im”, ndërsa në skenë më pas u paraqitën garuesit e parë me Shega Krasniqin me këngën “Vajza e Okarinave”, pastaj Afrona dhe Androna Thaqi me këngën “Për çdo fëmijë”, Alika Ajeti me “Jemi bota vetë”, Marin Keri me “Ëndrrat s’kanë kufij” dhe Nuar Llapashtica me “Fitorja akullorja”.

Pjesë e programit ishte edhe Orkestra Amadeus me interpretimin e këngës “Malësorja”.

Në vazhdim performuan Dalina Haxhiu me “Ëndrra ime s’fle”, Aksa Sylejmani me “Lëshoni pëllumbat”, Afrina Macula me “Superstar”, Luana Duli me “Ëndrrat” dhe Blin Tufa me “Magji”.

Në program u prezantuan më pas Aelia Berisha me “Kjo jam unë”, Rrita Krasniqi me “Soprano”, Kenza Pllana me “Buzëqeshi jetës”, Kanarinë Kovanxhiu me “Jam vetvetja” dhe Mia Muçaj me “Lart e më lart”.

Një nga momentet e veçanta të mbrëmjes ishte rikthimi i divës Adelina Ismajlit në skenën e “Akordeve të Kosovës”. Dyzet vjet pas debutimit, ajo interpretoi këngën “Ne jemi bukuria e atdheut”.

Në program u përfshinë edhe performancat e Uran Hamitit me këngën “Zemra flet”, si dhe Adea Pula dhe Kori Okarina me “E duam lumturinë”.

Anëtarja e jurisë, Orjeta Lero Kelaj, vlerësoi organizimin e festivalit dhe paraqitjen e fëmijëve, duke theksuar se secili prej tyre meriton të konsiderohet fitues për guximin dhe talentin e treguar në skenë.

Edicioni për fëmijë u organizua për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke u dhënë hapësirë talenteve të reja për të prezantuar krijimtarinë dhe aftësitë e tyre artistike në një skenë të madhe muzikore.

15 fëmijë në skenën e “Akordeve të Kosovës” | Live

(Plotësuar, 21:00) Ka nisur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë nata e tretë dhe përmbyllëse e festivalit “Akordet e Kosovës”, e cila për herë të parë i kushtohet tërësisht fëmijëve. Në kuadër të “Akordeve për Fëmijë”, 15 artistë të rinj do të prezantojnë këngët e tyre `live`, të shoqëruar nga orkestra, teksa ky festival po drejtohet nga Adea Pula.

Kjo mbrëmje shënon një risi në historinë e festivalit, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe duke u dhënë mundësi fëmijëve të përjetojnë emocionet e një skene të madhe muzikore.

Këngët garuese përcjellin mesazhe për dashurinë, paqen, vetëbesimin dhe ëndrrat e fëmijëve.

Producentja ekzekutive e kësaj mbrëmjeje, Valbona Tahiri, ka thënë për RTK-në se në mesin e 15 pjesëmarrësve ka edhe fëmijë që për herë të parë do të provojnë emocionet e një festivali të tillë.

“Është nata e tretë, nata e fundit, por ndoshta më e rëndësishmja, pasi fëmijët rikthehen në skenë dhe do të këndojnë ‘live’ me orkestër”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka shprehur bindjen se kjo mbrëmje do të bëhet pjesë tradicionale e “Akordeve të Kosovës”.

Prezantimin e mbrëmjes e bën Adea Pula, e cila edhe vetë dikur ishte pjesë e skenave muzikore për fëmijë.

Në dy netët paraprake të festivalit, të dedikuara për artistët e rritur, u shpallën edhe fituesit e këtij edicioni.

Çmimin e parë nga juria e fitoi Troja Bicurri me këngën “Mali dhe Hëna”. Çmimi i orkestrës iu nda Fatbarda Nikçit, ndërsa çmimin për tekstin më të mirë e fitoi Olympia me këngën “Amanet”.

Një nga momentet e veçanta të festivalit ishte ndarja e çmimit për vepër jetësore për kompozitoren Pranvera Badivuku.

Në këtë edicion morën pjesë edhe artistë të njohur, ndër ta Jonida Maliqi, Bojken Lako, Besnik Çaka, Sejat Jakupi dhe Deniza Begolli.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram