Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për sulm ndaj një mjeku kujdestar në QKMF-në e Ferizajt.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 00:35, në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar të QKMF-së, në rrugën “Ramadan Rexhepi”.
I dyshuari E.J. dyshohet se ka sulmuar fizikisht mjekun kujdestar F.F., pasi kishte sjellë babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore.
Gjatë trajtimit të pacientit, i dyshuari dyshohet se ka ndërhyrë dhe ushtruar presion ndaj personelit mjekësor. Pasi i është kërkuar të largohet nga dhoma për të mundësuar trajtimin e papenguar, ai ka refuzuar dhe më pas e ka goditur mjekun me grusht në pjesën e majtë të fytyrës.
Prokuroria bën të ditur se ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 402, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Ferizaj.

