Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje teknologjike nga Ambasada Britanike, me qëllim forcimin e kapaciteteve operative të Sektorit të Hetimeve në Departamentin e Kufirit.
Sipas njoftimit të Policisë, pajisjet do të përdoren për hetimin e veprave penale komplekse ndërkufitare, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve të zjarrit dhe falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe identitetit.
Pajisjet janë përzgjedhur nga Policia e Kosovës bazuar në nevojat operative dhe synojnë rritjen e efikasitetit në përpunimin e provave digjitale, përdorimin e aplikacioneve hetimore dhe ruajtjen e sigurt të dosjeve të hetimit.
Donacioni u dorëzua nga Margaret Belof, shefe e Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe Sigurinë e Brendshme, te drejtori i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse të Policisë së Kosovës, Kamer Jonuzaj.
Sipas Policisë, ky donacion pasqyron partneritetin e vazhdueshëm me Ambasadën Britanike në mbështetje të hetimit të krimit të organizuar ndërkufitar.

