Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, dy prej tyre për fajde dhe një për manipulim me prova. Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar ndaj dy të dëmtuarve arrin në 140 mijë euro.
Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda kundër B.K. dhe F.S., ky i fundit në arrati, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, në bashkëkryerje.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., i kishin dhënë hua shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara.
Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për shlyerjen e detyrimeve, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa të dëmtuarve L.S. dhe babait të tij, M.S., u kanë shkaktuar dëm prej 140 mijë eurosh.
Ndërkaq, aktakuzë është ngritur edhe ndaj H.T., nën dyshimin për veprën penale “Manipulimi me prova”.
Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2024, në Suharekë, H.T. kishte marrë nga M.S. origjinalin e marrëveshjes së huasë ndërmjet B.K. dhe L.S., me pretekstin se do t’ia prezantonte B.K.-së. Megjithatë, pasi ia kishte prezantuar, dyshohet se e kishte shkatërruar dokumentin, me qëllim që të pamundësonte përdorimin e tij në procedurë penale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

