Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është takuar me homologun e tij zviceran, këshilltarin federal për Punë të Jashtme, Ignazio Cassis.
Pas takimit me Cassis, në një konferencë për medie, Konjufca ka thënë se Zvicra ka qenë partnere e palëkundur e Kosovës që nga njohja e pavarësisë më 27 shkurt 2008.
“Zvicra ka qenë qysh prej fillimit një partnere e palëkundur e Kosovës. Që nga njohja e pavarësisë sonë më 27 shkurt të vitit 2008, Zvicra i ka qëndruar pranë Kosovës, duke e mbështetur zhvillimin tonë, angazhimin ndërkombëtar dhe përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik, të qëndrueshëm dhe prosperues. Ne e çmojmë thellësisht këtë miqësi dhe besimin që e karakterizon partneritetin tonë”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen zvicerane në zhvillimin e Kosovës, angazhimin ndërkombëtar dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
Konjufca ka veçuar edhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Sot, mërgata e Kosovës në Zvicër është shumë më tepër sesa vetëm një urë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona. Ajo është pjesë e pandashme e historisë sonë që e ndajmë. Ajo e ruan gjuhën, kulturën tonë dhe traditat, ndërsa njëkohësisht kontribuon në shoqërinë ku jeton, e ku është integruar kënaqshëm në aspektin shoqëror, kulturor dhe qytetar. Si Kosovë, jemi mirënjohës ndaj Zvicrës për mikpritjen, mundësitë dhe mbështetjen që ua ka dhënë bashkatdhetarëve tanë”, theksoi ai.
Gjatë takimit është diskutuar për programin zviceran të bashkëpunimit për periudhën 2026–2029, si dhe për mundësitë e zgjerimit të partneritetit në bashkëpunimin zhvillimor, dialogun politik, tregti, investime, arsim dhe inovacion.
Kryediplomati kosovar ka vlerësuar gjithashtu se hyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s krijon mundësi të reja për bizneset dhe bashkëpunimin ekonomik.
Ai ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen ndaj rrugës evropiane të Kosovës, veçanërisht për përkrahjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“E çmojmë mbështetjen konstruktive të Zvicrës për rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës. E falënderova ministrin Cassis për delegacionin zviceran në Këshillin e Evropës që votuan për anëtarësimin në Asamblenë e Këshillit për Kosovën që të bëhet anëtare. Presim padyshim mbështetjen e Zvicrës në fazat e mëtejme të anëtarësimit tonë të plotë në Këshillin e Evropës”, ka pohuar Konjufca.
Ai ka shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të Zvicrës edhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke veçuar angazhimin e kontingjentit zviceran Swisscoy në kuadër të KFOR-it.

