Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me prindërit e Astrit Deharit, Avniun dhe Xhemilen, familjarë, kolegë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe te varri i Astritit, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
Pas homazheve, Kurti ka thënë se, edhe pas një dekade, ende nuk është zbardhur e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit dhe nuk është vënë drejtësia në vend.
“10 vjet pa Astritin janë shumë, janë tepër shumë për familjen, për VV-në, për të gjithë ne që e njohëm e bashkëpunuam me të, por janë edhe shumë për Republikën e Kosovës dhe mbarë shqiptarët, sepse mungon edhe e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia për të”, deklaroi Kurti për mediet.
Ai ka theksuar se për rastin janë ndërruar pesë prokurorë dhe se deri më tani askush nuk është akuzuar, arrestuar apo dënuar për vdekjen e tij.
Kurti ka thënë se institucionet janë të gatshme të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.
“10 vjet më vonë ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit, pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë së asaj kohe ishin nxituar të japin konstatime para hetimeve”, ka shtuar ai.
Kurti ka shtuar se mungesa e përgjegjësisë vazhdon ta rëndojë këtë rast, duke ritheksuar përkushtimin për zbardhjen e së vërtetës.
“Astriti na mungon shumë, veçse edhe ne nuk do të ndalemi duke kërkuar drejtësi për të dhe si institucione, si zyrtarë shteti, si qytetarë republike jemi më shumë se të gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë, në mënyrë që edhe të zbardhet e vërteta edhe të vihet në vend drejtësia”, tha ai.
Dehari: 10 vjet pritje për drejtësi janë torturë për familjen
Ndërkaq, babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, e ka cilësuar si torturë për familjen pritjen dhjetëvjeçare për zbardhjen e rastit.
Ai ka kritikuar Prokurorinë për zvarritje të hetimeve, duke thënë se që në fillim ka pasur deklarime kundërthënëse për rastin dhe se janë dhënë konstatime për vetëvrasje para përfundimit të hetimeve.
Avni Dehari ka përmendur edhe ekspertizat e pavarura dhe ato ndërkombëtare nga Zvicra, të cilat, sipas tij, kanë konstatuar se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, por për vrasje.
Familja Dehari ka shprehur pritjen që rasti të trajtohet më seriozisht dhe të ketë rezultate konkrete në zbardhjen e tij.

