Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovë“Liria Ka Emër” kërkon ndërhyrjen e Parlamentit Evropian për Gjykatën Speciale

“Liria Ka Emër” kërkon ndërhyrjen e Parlamentit Evropian për Gjykatën Speciale

Platforma “Liria Ka Emër” i është drejtuar Parlamentit Evropian me kërkesë për shqyrtimin serioz të shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas platformës, këto kërkesa synojnë të garantojnë që institucionet e drejtësisë të funksionojnë në përputhje me standardet që vetë Evropa i ka përcaktuar.

Platforma “Liria Ka Emër” u ka bërë thirrje Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm që të shqyrtojnë shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës theksuan se kjo nuk është kërkesë kundër drejtësisë, por për mbrojtjen e saj.

“Kjo vazhdimësi procesesh ngre një pyetje të rëndësishme: Kur përfundon drejtësia individuale dhe kur fillon perceptimi i një procesi të pafundmë të vënies në dyshim të një lufte çlirimtare?”, tha Eliza Hoxha nga Platforma “Liria Ka Emër”.

Ndër shqetësimet kryesore u përmendën mënyra e trajtimit të të akuzuarve dhe standardet e zbatuara gjatë proceseve gjyqësore.

“Paraburgimi shumëvjeçar, kufizimet procedurale dhe çështjet e ngritura lidhur me të drejtat e mbrojtjes kanë krijuar shqetësime serioze për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë”, tha Doruntina Meha, eksperte juridike.

Përfaqësuesit e platformës paraqitën kërkesat e tyre drejtuar Parlamentit Evropian, ndër të cilat përfshihen mbajtja e një dëgjese të posaçme parlamentare për shqetësimet e identifikuara në raportin e BHRC-së, si dhe shqyrtimi i çështjeve të tjera që lidhen me respektimin e të drejtave themelore në Dhomat e Specializuara.

“Përmes rezolutës, rekomandimit apo instrumenteve të tjera, për forcimin e monitorimit të pavarur dhe garantimin e standardeve të gjykimit të drejtë. Gjithashtu, kërkojmë të mundësohet një takim me përfaqësuesit e Platformës Qytetare ‘Liria Ka Emër’, për të paraqitur dokumentacionin, shqetësimet dhe propozimet tona për veprim institucional”, tha Ismail Tasholli nga platforma “Liria Ka Emër”.

Nga platforma u theksua se këto kërkesa synojnë të garantojnë që institucionet e drejtësisë të funksionojnë në përputhje me standardet që vetë Evropa i ka përcaktuar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram