Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëOpozita kritikon ngecjet, Kurti premton marrjen seriozisht të vërejtjeve të KE

Opozita kritikon ngecjet, Kurti premton marrjen seriozisht të vërejtjeve të KE

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën ka nxitur reagime të partive opozitare, të cilat përgjegjësinë për ngecjet në reforma ia atribuojnë institucioneve të vendit. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës vlerësojnë se mungesa e rezultateve në drejtësi, siguri dhe fusha të tjera po e pengon rrugën evropiane të Kosovës. Kryeministri Kurti ka premtuar se vërejtjet do të merren seriozisht, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka veçuar progresin në fushat nën përgjegjësinë e saj.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën ka nxitur reagime nga partitë opozitare, të cilat përgjegjësinë për ngecjet në reforma ia kanë adresuar institucioneve të vendit.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës vlerësojnë se mungesa e rezultateve në drejtësi, siguri dhe fusha të tjera po e pengon rrugën evropiane të Kosovës.

“Kosova do të duhej të ecte përpara, u pa që kjo periudhë ka qenë periudhë e ngecjes”, tha Elmi Reçica, deputet i PDK-së.

Sipas shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, mungesa e progresit nuk mund të arsyetohet vetëm me krizat politike, pasi Qeveria ka pasur mundësi të ndërmarrë reforma.

“Nuk e di në çfarë fushe doli Kosova mirë. Kosova pas kaq shumë vitesh ka ripërsëritje të kritereve që janë të papërmbushura prej nesh. Sistem të drejtësisë joefikas, vrasje të grave e dhunë në familje e kjo është reflektim i situatës së sigurisë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar një analizë të hollësishme të problemeve që po e pengojnë integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

“Kuptojmë të gjitha proceset e qeverisë janë në ngecje dhe duhet t’i bëjmë një analizë të mirëfilltë të gjitha këtyre ngecjeve”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vërejtjet e raportit do të merren seriozisht. Ai ka shtuar se vendi tashmë ka institucione funksionale dhe se janë përshpejtuar reformat që lidhen me integrimin evropian.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e ka mirëpritur raportin, duke theksuar se ai konfirmon progresin në fushat që janë në përgjegjësi të kësaj ministrie dhe agjencive të saj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram