Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 1,905 gjoba ndaj shoferëve për tejkalim të shpejtësisë gjatë muajit tetor.
Sipas njoftimit të policisë, ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit vetëdijesues “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton “Mos e mat jetën me kilometra në orë”.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe ta përshtatin mënyrën e ngasjes me kushtet e rrugës, duke theksuar se shpejtësia e papërshtatshme paraqet rrezik serioz për jetën e shoferëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Gjithashtu, Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

