Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Heronjtë e Policisë janë busull për gjeneratën e re,veriu sot më...

Kurti: Heronjtë e Policisë janë busull për gjeneratën e re,veriu sot më i sigurt

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përgëzuar 397 kadetët e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, të cilët diplomuan sot, duke theksuar rëndësinë e integritetit, profesionalizmit dhe disiplinës në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

Në ceremoninë e diplomimit, Kurti tha se Policia e Kosovës është më shumë se një institucion i rendit dhe ligjit, ndërsa shërbimin në këtë institucion e cilësoi si nder dhe përgjegjësi të lartë.

Ai bëri me dije se nga 397 kadetët e diplomuar, 118 janë gra dhe 279 burra, teksa vlerësoi pjesëmarrjen e konsiderueshme të grave në këtë gjeneratë.

“Pothuajse pra, çdo e treta prej pjesëtarëve është grua. Është lajm i mirë edhe në këtë gjeneratë aplikimi dhe diplomimi në numër të konsiderueshëm i grave”, tha kryeministri.

Kurti përmendi edhe dy djemtë e heronjve të Policisë së Kosovës, Sokol Zymberin dhe Jetlum Bunjakun, të cilët, sipas tij, do të vazhdojnë rrugën e prindërve të tyre (Enver Zymberi e Afrim Bunjaku) në shërbim të rendit dhe ligjit.

“Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj. Secilën ditë mos harroni, por i nderoni e i kujtoni edhe jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës. Ata janë búsulla e cila orienton angazhimin dhe përkushtimin tuaj. Mes jush gjenden edhe dy djemtë e heronjve tanë, Sokol Zymberi dhe Jetlum Bunjaku”, theksoi Kurti.

Duke folur për djemtë e heronjve, Enver Zymberi e Afrim Bunjaku, i pari i qeverisë tha se ata në gjurmët e prindërve të tyre, do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, sepse, siç u shpreh, vetëm kësisoj e fuqizojmë Republikën e Kosovës, si dhe sigurinë dhe paqen për të gjithë.

Kryeministri foli edhe për mbështetjen e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës, duke thënë se gjatë pesë vjetëve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

“Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht, në nivel shumë më të lartë dhe të pakrahasueshëm me periudhat e mëparshme. Në pesë vitet e fundit, përveçse është shtuar buxheti për Policinë e Kosovës për mbi 50%, i kemi 20 stacione, objekte dhe baza policore që janë ngritur dhe forcuar në gjithë veriun e vendit tonë. Policia e rendit është pajisur me armë të gjata të cilat më herët mungonin dhe automjete e autoblinda të reja me vlerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri të Ibrit dhe angazhimi i policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në fshatrat Kalludra e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut”, tha ndër të tjera Kurti.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar dhe fuqizuar 20 stacione, objekte dhe baza policore në gjithë veriun e vendit, ndërsa policia është pajisur me armë të gjata, automjete dhe autoblinda të reja, me vlerë prej gati tetë milionë eurosh.

Kurti theksoi se arritjet në fushën e sigurisë nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi, pasi mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Në fund, ai u bëri thirrje kadetëve që gjatë shërbimit të udhëhiqen nga ndershmëria, përgjegjësia dhe integriteti profesional, duke i cilësuar ata si udhëheqësit e ardhshëm të Policisë së Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram