Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, ku diplomuan 397 kadetë, ka theksuar se profesioni i policit kërkon përkushtim, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese.
Sveçla ka theksuar rëndësinë e rolit të Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë, rendit dhe mbrojtjes së qytetarëve, duke e cilësuar atë si të pazëvendësueshme në ndërtimin e një vendi më të drejtë dhe më të sigurt.
Në fjalimin e tij, ministri ka thënë se siguria dhe rendi janë simbole të qetësisë dhe besimit të qytetarëve, si dhe të përpjekjeve për ndërtimin e një vendi ku ligji vlen për të gjithë.
“Siguria dhe rendi. Ajo është një nga simbolet e qetësisë sonë, e besimit të qytetarëve dhe përpjekjes sonë për të ndërtuar një vend ku ligji vlen për të gjithë dhe ku secili qytetar ndihet i sigurt dhe i mbrojtur”, ka thënë Sveçla.
Ai ka theksuar se për ndërtimin e një vendi më të drejtë dhe më të sigurt duhet të punohet vazhdimisht, në mënyrë që liria, barazia dhe drejtësia të mos mbeten vetëm parime, por të bëhen pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve.
“Këto janë vlera për të cilat kemi punuar dhe për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë, një vend më i drejtë, më i sigurt dhe me më shumë mundësi për të gjithë, një vend ku liria, barazia dhe drejtësia nuk mbeten vetëm parime, por bëhen pjesë e jetës së përditshme të secilit qytetar. Në këtë rrugëtim, Policia e Kosovës ka një rol të pazëvendësueshëm”, u shpreh ai.
Ministri ka vlerësuar diplomimin e gjeneratës së 63-të si një moment të rëndësishëm jo vetëm për kadetët që kanë përfunduar përgatitjen e tyre, por edhe për Policinë e Kosovës dhe vendin, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re në shërbim të qytetarëve.
“Prandaj, diplomimi i gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ju që sot po mbyllni përgatitjen tuaj, por edhe për policinë dhe për vendin tonë, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve”, deklaroi Sveçla.
Duke iu drejtuar kadetëve të diplomuar, ai ka theksuar se me përfundimin e kësaj faze të përgatitjes, ata po nisin një rrugëtim të ri në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sveçla u ka rikujtuar kadetëve se profesioni i policit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë dhe guxim, duke theksuar se uniforma që do të mbajnë përfaqëson përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jo pushtet mbi ta.
“Ky profesion kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese. Dua t’ju rikujtoj se uniforma që do të mbartni nuk është simbol i pushtetit mbi qytetarët, por i përgjegjësisë ndaj tyre”, theksoi Sveçla.

