Saturday, November 7, 2026
HomeLajmeKosovëKurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar

Kurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën, më 8 nëntor.

Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa për 29 vende në Këshillin Kombëtar garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë.

“Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit shqip. Nga shkolla shqipe e tekstet mësimore, te institucionet kulturore, mediat në gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se ky institucion ka autorizime publike në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Kryeministri ka përmendur edhe pengesat me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Me tekste mësimore, bursa për nxënës e studentë, mbështetje për kulturën dhe institucionet përfaqësuese. Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj. Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje”, ka shtuar Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram