Institucioni i Avokatit të Popullit e ka vlerësuar si të pranueshme ankesën e Federatës Sindikale të RTK-së (FSRTK), lidhur me mospërfshirjen e punëtorëve të transmetuesit publik në pagën e 13-të dhe financimin e pamjaftueshëm të RTK-së.
Në njoftimin e FSRTK-së thuhet se ankesa është paraqitur më 19 tetor 2026 dhe është regjistruar me numrin R/1589/2026.
Pas shqyrtimit, Avokati i Popullit ka vendosur ta trajtojë ankesën për hetimin e shkeljeve eventuale të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga autoritetet publike.
FSRTK-ja e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për trajtim të barabartë të punëtorëve të RTK-së, përfshirjen e tyre në pagën e 13-të dhe sigurimin e një buxheti të qëndrueshëm për transmetuesin publik.
Federata ka bërë të ditur se do ta ndjekë këtë proces dhe do të vazhdojë të përdorë mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.


