Orëndreqësi kosovaro-zviceran, Rexhep Rexhepi, ka fituar çmimin më prestigjioz në industrinë e orëve luksoze, “Aiguille d’Or”, në edicionin e 26-të të ceremonisë Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), të mbajtur më 7 nëntor në Gjenevë.
Çmimi kryesor iu nda Rexhepit për krijimin e tij Chronograph Flyback, duke e vlerësuar si orën më të spikatur ndër 84 orët dhe mekanizmat kohorë që garuan në 14 kategori të ndryshme.
Në një prononcim për Euronews Culture, Rexhepi tha se fitimi i këtij çmimi kishte qenë gjithmonë një ëndërr e tij. Ai vlerësoi ekipin e tij dhe koleksionistët nga e gjithë bota që ndjekin krijimet e tij.
Orëndreqësi kosovaro-zviceran, karriera e të cilit nisi në moshën 15-vjeçare si praktikant në kompaninë e njohur Patek Philippe, tha se marrja e çmimit nga fituesi i vitit të kaluar, kompania Breguet, kishte një domethënie të veçantë për të.
Ora Chronograph Flyback, e cila i solli Rexhepit këtë vlerësim, dallohet për përmasat e harmonishme dhe mekanizmin e zhvilluar me një arkitekturë tërësisht të re. Fusha e saj, e punuar me smalt Grand Feu në ngjyrë blu të errët, është frymëzuar nga kronografët e vjetër të xhepit.
Në edicionin e këtij viti, organizatorët për herë të parë hoqën kategoritë tradicionale të ndara sipas gjinisë, përkatësisht për burra dhe gra, duke i zëvendësuar me kategori të reja të bazuara në karakteristikat teknike të orëve.
Çmimi “Aiguille d’Or” konsiderohet vlerësimi më i lartë i Grand Prix d’Horlogerie de Genève dhe shpesh cilësohet si “Oscari” i industrisë së orëndreqjes. Vitin e kaluar, këtë çmim e fitoi kompania Breguet me modelin Classique Souscription 2025.


