Personi i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në Krakov të Polonisë ka vdekur në spital, raporton La Repubblica. Ai është 24-vjeçari Michal Oksinski , i cili hapi zjarr ndaj njerëzve në qendër të qytetit të shtunën, pasi më parë kishte vrarë prindërit dhe motrën e tij në shtëpinë e tyre familjare.
Të shtënat në qendër të Krakovit plagosën gjithashtu 15 persona. Sulmuesi u plagos nga policia gjatë një përpjekjeje për arrestim, pas së cilës u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai ndërroi jetë nga plagët e marra.Sipas informacioneve të deritanishme, Oksinski qëlloi mbi turmën në qendër të qytetit, dhe midis të vdekurve kishte shtetas polakë, si dhe shtetas të Mbretërisë së Bashkuar dhe Austrisë.Autoritetet polake kanë nisur një hetim mbi aktin e dyshuar të terrorizmit. Ministri i Brendshëm
Marcin Kierwinski tha më parë se kishte indikacione se sulmuesi ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Hetuesit nuk kanë thënë ende nëse ai ishte i lidhur me ndonjë grup të organizuar ekstremist.Policia gjeti trupat e prindërve dhe motrës së tij në shtëpinë e familjes së tij, dhe u sekuestruan disa armë zjarri. Hetuesit ende po përcaktojnë të gjitha rrethanat e krimit.

