Wednesday, November 11, 2026
HomeLajmeKosovëMINTI: Bie çmimi i naftës, monitorimi i tregut do të vazhdojë

MINTI: Bie çmimi i naftës, monitorimi i tregut do të vazhdojë

Nafta në Kosovë vazhdon të jetë ndër produktet me çmimin më të lartë. Përderisa në vendet evropiane çmimet kanë shënuar tendencë rënieje, në Kosovë ulja e tyre po ndodh shumë më ngadalë sesa rritja. Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se rënia e çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Kosovës. Ata kanë bërë të ditur se monitorimi i tregut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

1 euro e 79 centë është çmimi aktual për një litër naftë në Kosovë. Ky çmim ndryshon nga dita në ditë, varësisht nga lëvizjet në tregjet evropiane. Ndonëse në vendet e Bashkimit Evropian është vërejtur një tendencë e uljes së çmimeve, qytetarët në Kosovë vazhdojnë t’i konsiderojnë ato të larta dhe të papërballueshme për buxhetet familjare.

“Me të ardhurat që i kemi kuptohet. Ne nuk jemi në Evropë hala, me pas qenë në Evropë kishte qenë krejt në rregull. Për momentin çfarë me bë shembull një pensionist? E ka një kerr, qysh do me dalë?. Nuk i dalin veç për barna, e lere më për derivate. Unë mendoj që është pak e tepërt.

“Shumë është i lartë çmimi i naftës në vendin tonë, pagat nuk kanë lëviz ndërsa çmimi i naftës çdo javë rritet, kjo kështu është vështir me përballu”, ka thënë një qytetarë.

Rritja e çmimit të naftës po ndikon drejtpërdrejt edhe në shtrenjtimin e produkteve të tjera. Për këtë arsye, ekspertët vlerësojnë se kur ka ulje në vendet e rajonit, e njëjta duhet të ndodhë edhe në Kosovë.

“Tek ne po deklarohet për shembull ku ka ngritje edhe po e ngrenë sërish përnjëherë, do të thotë ishte edhe e njëjta. Domethënë se tash kanë arsye edhe pse i kanë stoqet me çmimet e vjetra, po mirë për 3-4 ditë do të duhej, do të duhej të ketë lëvizje. Do të duhej të ketë ndikim edhe tek ne, edhe pse dje kanë filluar me lëvizë. Por edhe gjatë kohës sa ka qenë tek ne diku 1.94 çmimi i naftës, në Maqedoni ka qenë 1.55. Domethënë rreth 40, 30… 38 centë, 40 centë ka qenë ndryshimi që është shumë i madh”, ka thënë Jakup Gashi, njohës i ekonomisë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Zekim Istogu, thotë se çmimet e derivateve në vendin tonë varen kryesisht nga çmimet në tregun evropian.

 “Besojmë shumë që fillimi I javës do të ketë një ulje të çmimit të naftës mirëpo ne varemi shumë nga çmimet importit gjatë ditës së djeshme nuk ka pas lëvizje të çmimit dhe besojmë që tash e tutje do të kemi ulje të çmimit për faktin se edhe stoqet me çmime të lartë tashmë janë konsumuar”, ka thënë Istogu.

Ndërkohë, zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se tendenca e rënies së çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në tregun e Kosovës.

Gjatë 24 orëve të fundit, çmimi mesatar i naftës ka shënuar rënie nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër.

Në përgjigje thuhet se monitorimi i tregut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë edhe te konsumatorët e Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram