TONI Capuozzo, gazetari dhe reporteri italian i luftës që nxori nga qyteti djalin e plagosur rëndë Kemal gjatë rrethimit të Sarajevës, vdiq dje në një spital në Udine. Ai ishte 77 vjeç. Disa javë më parë kishte njoftuar se vuante nga një tumor.
Kemali ishte vetëm disa muajsh kur u godit nga një predhë ndërsa nëna e tij po e mbante në krahë. Ajo u vra dhe djali humbi njërën këmbë. Capuozzo e takoi në një spital të Sarajevës, ku ai dhe kolegët e tij po filmonin një reportazh.
Në marrëveshje me babanë e djalit, ai e çoi atë në Itali për kurim. Ata e fshehën Kemalin nën sediljen e pasme të makinës dhe e mbuluan me një jelek antiplumb.
Djali jetoi me Capuozzon dhe familjen e tij për pesë vjet, mori një protezë dhe pas luftës u kthye te babai dhe të afërmit e tij në Sarajevë. Capuozzo tha se ishte “babai i dy fëmijëve e gjysmë”.
E ndihmoi edhe Kemalin më vonë
Marrëdhënia e tyre nuk mori fund pas kthimit të Kemalit. Në vitin 2017, kur Kemali u sëmur dhe iu desh një ndërhyrje kirurgjikale urgjente që nuk mund të kryhej në Sarajevë, Capuozzo nisi një apel publik për trajtimin e tij në Itali.
Ministrja italiane e Shëndetësisë në atë kohë, Beatrice Lorenzin, u përgjigj se kishte kërkuar ndihmë nga shërbimet përkatëse. Kemali kishte ardhur në Itali për kurim.
“Qava ndërsa raportoja nga Markal”
Capuozzo po raportonte nga Markal, tregu i Sarajevës ku u vranë 68 persona në një masakër, më 5 shkurt 1994. Sipas gazetës italiane Il Fatto Quotidiano, kjo ishte e vetmja herë në karrierën e tij që ai qau ndërsa diktonte raportin e tij në telefon.

Tridhjetë vjet pas fillimit të rrethimit, ai u kthye në Sarajevë me kameramanin Igor Vuçiç, me të cilin raportoi nga qyteti gjatë luftës. Së bashku ata xhiruan dokumentarin “1992-2022: Ritorno all’inferno” (Kthim në Ferr).
Capuozzo e filloi karrierën e tij si gazetar në vitin 1979 në gazetën Lotta Continua dhe në fillim të viteve 1990 iu bashkua Mediaset.
Ai raportoi për luftërat në ish-Jugosllavi, Somali, Lindjen e Mesme, Afganistan dhe Irak. Nga viti 2000 deri në vitin 2017, ai drejtoi emisionin Terra! dhe ishte gjithashtu zëvendësredaktor i Tg5. Në vitin 2004, ai u rrëmbye së bashku me ekipin e Tg5 ndërsa raportonte nga Iraku.

