Punëdhënësit duhet të ndërmarrin masa të shtuara për sigurinë e punëtorëve dhe të mos lejojnë punën në kushte që paraqesin rrezik për shkak të erërave të forta, ka apeluar Inspektorati Qendror i Punës.
Thirrja vjen pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për erëra të forta gjatë ditës së nesërme.
Inspektorati ka kërkuar kujdes të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë dhe në veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura, sidomos gjatë punëve në lartësi, në skele dhe në kulme.
Punëdhënësve u është bërë thirrje që të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve kur kushtet atmosferike rrezikojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

