Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se ka përdorur autorizime të falsifikuara, kinse të lëshuara nga xhaxhai i saj, për shitjen e pronave të tij që gjenden në Kosovë.
Rasti lidhet me disa transaksione pronësore në Ferizaj dhe Shtime. Prokuroria pretendon se më 13 nëntor 2024, e pandehura ka përdorur dokumente të falsifikuara në Gjykatën Themelore në Ferizaj, përmes të cilave është njohur e drejta e pronësisë për një person mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviq të Shtimes.
Po ashtu, sipas aktakuzës, gjatë vitit 2016 ajo dyshohet se ka mashtruar një person, duke e bindur se kishte autorizim për shitjen e pronës. Përmes pagesave të kryera në llogarinë e saj bankare, të dëmtuarit i është shkaktuar dëm prej 200 mijë eurosh.
Ndërkaq, gjatë vitit 2018, e pandehura dyshohet se ka mashtruar edhe një person tjetër përmes një para-kontrate për shitblerjen e pronës, duke i shkaktuar dëm pasuror në vlerë prej 120 mijë eurosh.
Në total, sipas pretendimeve të Prokurorisë, dëmi pasuror në këto dy raste të mashtrimit arrin në 320 mijë euro.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.

