Friday, November 20, 2026
HomeLajmeKosovëMinistrja Gërvalla mirëpret hartimin e Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe...

Ministrja Gërvalla mirëpret hartimin e Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përgëzuar Kuvendin e Republikës së Kosovës për hartimin e Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.

Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje të veçantë për Kryetaren e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftimin e dhunës në familje. Ajo theksoi se gjatë ushtrimit të detyrës së Ministres së Drejtësisë, znj. Haxhiu ka kontribuar në shtyrjen përpara të ndryshimeve fundamentale ligjore dhe institucionale, të cilat kanë krijuar mundësi më të mëdha për mbrojtjen e viktimave dhe kërkimin e përgjegjësisë nga kryerësit e dhunës.

Megjithatë, ministrja Gërvalla theksoi se, gjendja aktuale kërkon angazhim edhe më të madh institucional. Ajo bëri të ditur se gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 2,361 raste të dhunës në familje, në mesin e viktimave të të cilave janë 172 fëmijë, ndërsa tetë gra dhe vajza janë vrarë.

“Në fund të fundit, një grua që kërkon mbrojtje nga dhuna nuk duhet të shqetësohet se cili institucion është përgjegjës. Ajo duhet të marrë ndihmë dhe të ketë besim se shteti do ta mbrojë”, u shpreh ajo.

Ministrja Gërvalla nënvizoi gjithashtu se Agjenda Parlamentare duhet të trajtojë edhe mundësitë që u ofrojmë grave për të ndërtuar jetën e tyre: pavarësinë ekonomike, të drejtën në pronë, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe mundësitë e barabarta.

Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ajo rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e punës në drejtim të mbrojtjes më të mirë të viktimave dhe përgjegjësi më të madhe institucionale.

Në përmbyllje, ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë në avancimin e kësaj agjende dhe realizimin e objektivave të saj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram