Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditura detaje nga aksioni policor, gjatë të cilit u konfiskuan mbi 15 kilogramë substanca të dyshuara narkotike dhe u arrestuan katër persona.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, kokainë, hashash, dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona dhe mbi nëntë mijë euro para të gatshme.
“Me rastin e realizimit kontrolleve në lokacionet e ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar, substancë e dyshuar narkotike dhe atë 15.443 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 1.7 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, katër (4) qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash (çokollatë), dy (2) vetura, dy (2) armë zjarri, gjashtëdhjetë e dy (62) fishek të kalibrave të ndryshëm, katër (4) telefona, si dhe të holla në shumën e përgjithshme prej mbi nëntë (9) Mijë Euro.”, thuhet në njoftim
Tutje është bërë e ditur se janë ndaluar katër persona.
“S.M, F.B, N.I. për shkak të veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, S.B dhe N.I për shkak të veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 i KPRK-së, si dhe Gj.S. për shkak të veprës penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i shtetit ka paraqitur në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre gjatë procedurës penale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

