Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka kritikuar mungesën e kryetarëve të komunave në takimin ku është diskutuar për mbrojtjen e grave, parandalimin e dhunës në familje dhe mbështetjen e viktimave.
Gërvalla ka bërë të ditur se nga 38 komuna, vetëm 20 kanë dorëzuar raportet përkatëse, ndërsa një komunë ka njoftuar se ende nuk e ka themeluar Mekanizmin Koordinues Lokal (MKL).
“Këto të dhëna kërkojnë reflektim të hollësishëm e shumë serioz. Mbrojtja e jetës, sigurisë dhe dinjitetit të qytetarëve kërkon prani, vendimmarrje dhe angazhim të drejtpërdrejtë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Mekanizmat Koordinues Lokalë kanë rol thelbësor në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e mbështetjes së tyre në çdo fazë të riintegrimit.
Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për përvojat, sfidat dhe propozimet konkrete të komunave, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e Strategjisë së re për vitet 2027–2031.
Ajo ka falënderuar kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, dhe kryetarin e Junikut, Ruzhdi Shehu, të cilët ishin të vetmit kryetarë komunash të pranishëm në takim.
“Në anën tjetër, mungesa e kryetarëve të komunave në një takim ku diskutohet mbrojtja e grave, parandalimi i dhunës në familje dhe mbështetja e viktimave është e papranueshme. Aq më tepër kur bëhet fjalë për herën e tretë që dërgohen ftesa për këtë qëllim”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se kryetarët e komunave nuk janë spektatorë të këtij procesi, por bartës të përgjegjësive ligjore dhe institucionale për funksionalizimin e Mekanizmave Koordinues Lokalë.
Gërvalla ka vlerësuar propozimet për fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen dhe riintegrimin e viktimave, forcimin e shërbimeve sociale dhe funksionalizimin e mekanizmave lokalë.
“Strategjia e re nuk duhet të jetë një dokument tjetër që miratohet dhe mbetet në sirtar. Ajo duhet të prodhojë përgjegjësi të qarta, buxhete të garantuara, shërbime funksionale dhe rezultate të matshme”, ka theksuar ajo.
“Asnjë institucion nuk mund të pretendojë se e ka përmbushur detyrën e vet nëse viktimat mbeten pa mbrojtje, pa mbështetje dhe pa perspektivë riintegrimi. Përgjegjësia nuk delegohet, nuk shtyhet dhe nuk shmanget”, ka përfunduar Gërvalla.

