Dogana e Kosovës, gjatë procedurave të rregullta të kontrollit dhe selektimit të dërgesave në sektorin e Aeroportit – Kargo, ka zbuluar një rast të tentimit për shmangie të detyrimeve doganore përmes deklarimit të pasaktë të një dërgese postare.
Dërgesa, e përbërë nga një pako, ishte deklaruar në dokumentacionin shoqërues si “pjesë të imta metali për testim”.
Për shkak të dyshimeve për mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe të dhënave të dërgesës, zyrtarët doganorë kanë selektuar pakon për kontroll me pajisjen e skanimit, si dhe për ekzaminim fizik.
Pas analizimit të pamjeve të skanimit dhe ekzaminimit fizik, është konstatuar se përmbajtja e pakos nuk përputhej me deklarimin e bërë.
Sipas Doganës, brenda pakos janë gjetur 4,161 njësi stoli argjendi, përfshirë:
1,331 unaza;
358 qafore;
844 byzylykë;
1,001 varëse;
503 palë vathë;
124 komplete.
Pas vlerësimit është përcaktuar se vlera doganore reale e mallit, pa përfshirë taksat, arrin në 25,861.39 euro, ndërsa shuma e detyrimeve doganore që është tentuar të shmangen arrin në 7,706.69 euro.
Për shkak të mosdeklarimit të saktë të llojit, sasisë, peshës dhe vlerës së mallit, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, shmangies së detyrimeve doganore dhe të gjitha formave të tjera të shkeljeve doganore, duke përfshirë edhe importin e mallrave të ndaluara.

