Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes Kurti 2 janë shënuar rezultate në fushën e sigurisë, përmes luftimit të krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale dhe intensifikimit të luftës kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.
Sveçla ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është avancuar edhe shtrirja e sovranitetit dhe prania institucionale në veri të Kosovës, duke luftuar strukturat ilegale dhe duke krijuar kushte për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit.
“Këto rezultate u reflektuan edhe në vlerësimet ndërkombëtare, ku Republika jonë u rendit ndër vendet me nivelin më të lartë të sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit dhe ligjit. Përparimi në këtë fushë e ka forcuar pozitën e Kosovës si faktor i sigurisë dhe stabilitetit rajonal e evropian”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive në kuadër të saj për kontributin e dhënë, duke theksuar se angazhimi për sigurinë e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

