Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Databaza Kombëtare për evidentimin e rasteve të dhunës në familje përmban mbi 37 mijë të dhëna administrative, të cilat do të shërbejnë për hartimin e politikave më të sakta dhe përmirësimin e përgjigjes institucionale ndaj kësaj dukurie.
Gjatë prezantimit të raportit analitik nga kjo databazë, Gërvalla tha se në sistem janë përfshirë nëntë institucione dhe shërbime, përfshirë policinë, prokuroritë, gjykatat, shërbimet sociale, strehimoret dhe institucionet që ofrojnë mbrojtje e ndihmë juridike.
Sipas të dhënave të prezantuara, gratë dhe vajzat përbëjnë 71.6 për qind të viktimave të regjistruara, ndërsa burrat dhe djemtë përbëjnë 86 për qind të kryesve të regjistruar të dhunës.
Gërvalla theksoi se këto të dhëna duhet të reflektohen në politikat për mbrojtjen e grave dhe vajzave, si dhe në parandalimin e dhunës.
“Kur kemi të dhëna më të mira, kemi mundësi të marrim vendime më të sakta. Mund të përcaktojmë ku nevojitet ndërhyrje, cilat grupe kanë nevojë për mbështetje dhe ku duhet ta shqyrtojmë më nga afër punën tonë”, tha Gërvalla.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se 71.4 për qind e viktimave të regjistruara në strehimore janë pa punësim, duke theksuar nevojën për mbështetje afatgjatë përmes punësimit, banimit, sigurimit të të ardhurave dhe përkujdesjes për fëmijët.
“Përgjigjja përfshin banimin, të ardhurat, punësimin dhe mbështetjen për fëmijët. Kërkon bashkëpunim ndërmjet shërbimeve dhe vazhdimësi edhe pas daljes nga strehimorja”, u shpreh ajo.
Ministrja vlerësoi se databaza paraqet një aset të rëndësishëm institucional, por theksoi se sfidë mbetet ndërlidhja e regjistrave, në mënyrë që i njëjti rast të mund të përcillet nëpër institucione, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Përgjegjësia jonë është që ajo të përkthehet në mbrojtje më të besueshme dhe në siguri më të madhe për secilën dhe secilin që i drejtohet për ndihmë dhe mbështetje institucioneve”, përfundoi Gërvalla.

