Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e diplomatit amerikan Strobe Talbott, duke vlerësuar angazhimin e tij diplomatik në periudhën e luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka rikujtuar rolin e Talbottit në diplomacinë amerikane të vitit 1999, veçanërisht në negociatat me Rusinë, ku ai ishte i angazhuar së bashku me Martti Ahtisaarin.
Sipas Hoxhajt, përpjekjet diplomatike të Talbottit kontribuuan në krijimin e kushteve për arritjen e paqes dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Ai ka theksuar se Kosova do ta kujtojë me mirënjohje kontributin e tij në një nga periudhat më të vështira të historisë së vendit.
Në mesazhin e tij, Hoxhaj ka shprehur ngushëllime për familjen e Talbottit, miqtë e tij dhe popullin amerikan, duke vlerësuar trashëgiminë e diplomatit në proceset që i hapën rrugë paqes në Kosovë

