Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka ndaluar punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në kryeqytet, ndonëse, sipas tij, Komuna kishte dhënë lejen për vendosjen e tij.
Në një postim në Facebook, Rama ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me ndalimin e punimeve.
“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike n’Kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit. Sipas ekipit që po e vendoste muralin, përgjigjja e policit në vendngjarje ishte se urdhri kishte ardhur “nga lart”. Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi! Kush është “lart” në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar llogari nga Policia e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me ndalimin e punimeve.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja e muralit të Nënë Terezës? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen e Policisë? Kush e urdhëroi Policinë? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, ka shkruar Rama.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë, përmes një reagimi, ka bërë të ditur se punimet janë ndaluar pas vendimit të Prokurorisë për pezullimin e tyre, duke theksuar se objekti ku ishte paraparë vendosja e muralit nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

