Një automjet me targa të Serbisë është ndaluar në brezin kufitar Kosovë-Serbi, pasi dyshohet se kishte hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore. Gjatë kontrollit, në të janë gjetur 191 ujëmatës mekanikë, me vlerë mbi 9 mijë euro.
Aksioni është realizuar më 27 nëntor nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën.
Sipas njoftimit, automjeti drejtohej nga një 38-vjeçar, me shtetësi të Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen e mallrave.
Në automjet janë gjetur 12 pako me gjithsej 191 ujëmatës mekanikë, të destinuar për matjen e konsumit të ujit të ftohtë. Vlera e tyre, sipas çmimeve të tregut, vlerësohet të jetë mbi 9 mijë euro, pa përfshirë detyrimet doganore të shmangura.
“Automjeti, së bashku me mallrat, është sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe është dërguar në terminalin doganor për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia dhe Dogana kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës përgjatë kufirit shtetëror.

