Në Prishtinë po mbahen homazhe dhe nderime për dëshmorët që ranë për lirinë e vendit, me rastin e 18 Prillit, Ditës së Dëshmorëve të komunës.
Aktivitetet e Komunës së Prishtinës me rastin e 18 Prillit, Ditës së Dëshmorëve të kësaj komune, nisën me homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani, për të vazhduar më pas para shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
Përfaqësues të institucioneve, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të vendosur kurora lulesh dhe për të bërë nderime pranë varrezave të dëshmorëve.
Me këtë rast, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
Gjatë homazheve u theksua se dëshmorët mbeten themeli i lirisë.
(07:59) Prishtina shënon Ditën e Dëshmorëve me homazhe dhe aktivitete përkujtimore
Komuna e Prishtinës shënon sot, më 18 prill, Ditën e Dëshmorëve me një varg aktivitetesh përkujtimore në nderim të të rënëve për lirinë e vendit.
Përmes homazheve, tubimeve dhe aktiviteteve simbolike, institucionet dhe qytetarët rikujtojnë sakrificën e dëshmorëve dhe përcjellin mesazhe respekti e mirënjohjeje.
Aktivitetet nisin në orën 10:00 me homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani, për të vijuar më pas me nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti dhe organizimin e aksionit për dhurim gjaku në sheshin që mban emrin e tij.

