Shqyrtimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, ka shkaktuar debat parlamentar në seancën e jashtëzakonshme të së shtunës.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci propozoi shmangien nga afatet procedurale duke e cilësuar ligjin si tejet të nevojshëm. Kjo ide nuk gjeti përkrahjen e opozitës, duke u kundërshtuar me 48 vota kundër, derisa 58 deputetë votuan pro dhe 1 abstenoi.
“Qysh prej fillimit tregohet që të gjitha veprimet Qeveria është duke i ndërmarr që vendin ta çojë në zgjedhje. Nuk ka pas asnjë veprim serioz që vendit me i dhënë stabilitet institucional. Këtu nuk ka rishikim për komunat. Që 26 vjet pas luftës diçka të tillë s’kam pa, as mos pafsha…PDK s’e mbështet”, tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, duke shprehur kundërshtimin për këtë projektligj.
Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike ka thënë se vota e kësaj partie shkon kundër për shkak të mos përcjelljes së procedurave.
“Ligji për Buxhet është i rëndësisë vitale dhe si i tillë ka procedura strikte. Për shkak të mungesës së procedurave, LDK voton kundër përshpejtimit apo shmangies së tyre”, tha ai.
Në replikë ndaj tyre, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo pako është emergjente dhe në interes të qytetarëve. Si të tillë, ai rikërkoi shmangien e afatave procedurale.
Murati u përgjigj edhe për çështjen e presidentit, duke thënë se VV ka dhënë ofertën sot në mëngjes ndaj partive opozitare.
“U përmenden edhe zgjedhjet se gjoja qëllimi qenka që gjithçka të bëhet që të shkohet në zgjedhje. Në fakt sot kështu si jeni, të gjithë deputetët, edhe mund t’i parandaloni zgjedhjet. Pra, sot në mëngjes e keni parë që Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë një ofertë sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit që ju si opozitë të vini me tre emra. Kjo çështje mund të zgjidhet sot, pra fare s’ka nevojë që të diskutohet çështja e zgjedhjeve”, tha ai.

