Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë dy projektligje të rëndësishme, të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit”, ka shkruar Kusari-Lila.
Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi është miratuar me 73 vota për, ndërsa Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare me 62 vota për.
“Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi krijon parime dhe mekanizma institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e inovacionit dhe aktiviteteve ndërmarrëse, duke krijuar një bazë më të mirë për zhvillimin e ideve të reja dhe bizneseve inovative”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, sipas saj, “Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare synon të parandalojë vonesat në pagesa dhe të përcaktojë rregulla të qarta për afatet e pagesave dhe interesin për vonesat”.
“Dy hapa konkretë për treg funksional, të drejtë dhe më konkurrues, ku inovacioni mbështetet dhe biznesi paguhet në kohë”, ka shkruar Kusari-Lila.

