Ka dështuar edhe raundi i dytë për zgjedhjen e kryesuesit të Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pasi dy kandidatët Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, njësoj si në raundin e parë, kanë marrë nga pesë vota secili.
Në votim morën pjesë 11 anëtarë të Këshillit, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Meqenëse asnjëri nga kandidatët nuk arriti shumicën e nevojshme, procesi për zgjedhjen e kryesuesit përfundoi pa rezultat dhe konkursi u rishpall.
Zëvendëskryesuesja Arijeta Sadiku bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren në fuqi, e cila parasheh rihapjen e konkursit në raste kur asnjë kandidat nuk siguron votat e nevojshme. Sipas saj, konkursi do të jetë i hapur për aplikim për një periudhë prej 15 ditësh.
Edhe raundi i parë i votimit kishte përfunduar me rezultat të njëjtë, ku të dy kandidatët kishin marrë nga pesë vota, ndërsa një votë ishte shpallur e pavlefshme. Si rrjedhojë, procesi kishte kaluar në raundin e dytë, i cili po ashtu nuk prodhoi fitues.
Gjatë prezantimit të platformave të tyre, kandidatët shpalosën prioritetet dhe vizionet për drejtimin e KGJK-së. Rrustem Thaqi theksoi se fokusi i tij do të jetë forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e llogaridhënies, efikasiteti në trajtimin e rasteve, përmirësimi i qasjes në drejtësi dhe digjitalizimi i sistemit gjyqësor. Ai u zotua për kundërshtimin e çdo ndërhyrjeje që cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe për avancimin e mekanizmave monitorues dhe etikë.
Në anën tjetër, Besnik Bislimaj deklaroi se synimi i tij është ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur dhe transparent, që gëzon besimin e publikut. Ai vuri theks në forcimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit, reduktimin e lëndëve të pazgjidhura, avancimin e digjitalizimit, si dhe zhvillimin profesional të vazhdueshëm të gjyqtarëve. Bislimaj gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të gjyqtarëve, bazuar në meritë dhe performancë.
Me rishpalljen e konkursit, procesi për zgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së rikthehet nga fillimi, ndërsa mbetet të shihet nëse kandidatët aktualë do të riaplikojnë apo do të ketë kandidatura të reja për këtë pozitë kyçe në sistemin gjyqësor të Kosovës.

