Sunday, May 3, 2026
HomeGjeopolitikOpinionNga gazetaria e sakrificës te gazetaria e helmit publik

Nga gazetaria e sakrificës te gazetaria e helmit publik

Nga Zejdush Kastrati

Ne, brezi i gazetarëve që kemi punuar edhe gjatë regjimit të ish-RSFJ-së, por edhe ata që i kanë përcjellë nga afër ngjarjet e mëdha dhe turbulencat politike të asaj kohe, mbajmë mend një realitet krejtësisht tjetër profesional dhe etik. Mbajmë mend raste të rralla, por thellësisht respektabile, kur në RTP, në Rilindje, në Radio Prishtinë, por edhe në revista javore e mujore, kishte gazetarë, krijues e publicistë që, në shenjë pakënaqësie ndaj politikës redaktuese, ndërhyrjeve brutale të pushtetit dhe censurës sistematike, dilnin publikisht para ekranit, mikrofonit apo faqes së gazetës dhe jepnin dorëheqje. Ata refuzonin bashkëpunimin, refuzonin kompromisin dhe nuk pranonin të bëheshin pjesë e një regjimi diskriminues dhe të një makinerie dezinformimi ndaj opinionit kosovar. Pasojat ishin drastike dhe çnjerëzore: largim nga puna, etiketime si “irredentistë” apo “armiq të rendit shtetëror”, ndalim i dokumenteve të udhëtimit, stigmatizim i tërë familjes, pengesa serioze në shkollimin e fëmijëve, mohim bursash e kredish. Ishte një kosto e rëndë, e paguar jo vetëm individualisht, por familjarisht dhe shoqërisht. Megjithatë, ajo kohë prodhoi diçka që sot duket pothuajse e pabesueshme: idealizëm të kthjellët, atdhedashuri të sinqertë, korrektësi profesionale dhe një kolegialitet për lakmi, me përjashtime të rralla. Humaniteti ishte real, jo slogan. Gazetari i ekranit apo i gazetës, shkrimtari dhe intelektuali, mund të takohej si shitës plaçkash të vjetra, si tregtar perimesh, si punëtor krahu, si shofer taksie “në të zezë”. Profesioni mund të ishte shkatërruar nga pushteti, por dinjiteti personal mbetej i paprekur. Po sot? Pas luftës, në një shtet që pretendon demokraci? Le të flasim vetëm për gazetarinë. Ky profesion – dikur zanat i shenjtë – është sakatuar rëndë. Studio televizive të shndërruara në rrugë pa asfalt, gjuhë rrugaçësh mes kolegësh pa asnjë fije respekti apo kulture komunikimi, rrena dhe spekulime të pacipa, ofendime, etiketime dhe shpifje si metodë pune. Fëmijë spiunësh e udbashësh shfaqen si “analistë” dhe ligjërojnë mbi shtetndërtimin; shahet në mënyrën më primitive lideri, i ndershmi, familja; fyhen familjet që dhanë dëshmorë për këtë liri; promovohen antivlerat dhe amoraliteti; madhërohen spiunët dhe nënçmohen heronjtë. Referenca publike e opinionit janë bërë media të regjistruara me ligje e logo në qytete të Serbisë, me pronarë mashtrues vendorë e të huaj, të cilat, në vend të informimit, prodhojnë helm të përditshëm shoqëror. Dhe ajo që është më tronditëse: asnjë distancim. Asnjë dorëheqje. Asnjë kërkimfalje. Asnjë pendesë. Asnjë refuzim për të mos u solidarizuar me këtë degradim kolektiv. Heshtje, konformizëm dhe bashkëfajësi. Kjo është gazetaria e sotme. Dhe këta janë, në pjesën dërrmuese, “gazetarët” e saj, të mbështetur nga kryeredaktorë, redaktorë dhe pronarë mediash që e kanë shndërruar informimin publik në industri fëlliqësie. Keq. Shumë keq. Një profesion i shenjtë është zhytur në baltë — dhe po na helmon çdo ditë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram