Tuesday, May 26, 2026
HomeLajmeKosovëTërnava uron Kurban Bajramin,bën thirrje për unitet dhe fushatë me dinjitet

Tërnava uron Kurban Bajramin,bën thirrje për unitet dhe fushatë me dinjitet

Nesër shënohet festa e Kurban Bajramit, me këtë rast Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava iu drejtua opinionit publik dhe besimtarëve me një mesazh urimi, duke bërë thirrje për forcimin e familjes, ruajtjen e vlerave morale dhe kultivimin e paqes, solidaritetit dhe mirëkuptimit në shoqëri.

Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi se familja duhet të mbetet themeli i shoqërisë dhe se Bajrami është festë që bashkon gjenerata, hap zemrat për dashuri e falje dhe rikthen vlerat e humanizmit dhe respektit reciprok.

Ai u shpreh se njeriu, si krijesa më e nderuar, është thirrur përmes mësimeve hyjnore të ndërtojë paqe, bashkëpunim dhe drejtësi, e jo urrejtje, përçarje dhe shkatërrim.

Tërnava u ka bërë thirrje partive politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt, duke e cilësuar procesin zgjedhor si moment vendimtar për demokracinë.

Në mesazhin e tij, Tërnava tha se zgjedhjet janë dita kur “zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim”, ndërsa theksoi se vota duhet të jetë forcë për mbrojtjen e së ardhmes me guxim, unitet dhe vizion.

“Java tjetër është moment vendimtar për demokracinë, atë ditë kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim, dita kur vota bëhet forca për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion. Partitë fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt”, u shpreh Tërnava.

Në mesazhin e tij, Myftiu i Kosovës kujtoi edhe hadithin e Profetit Muhamed a.s.: “Më i dashuri tek Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit”, duke theksuar rëndësinë e edukimit shpirtëror, përgjegjësisë shoqërore, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj së drejtës.

Ai shprehu shqetësim edhe për luftërat dhe konfliktet në botë, duke dënuar humbjen e jetëve të pafajshme dhe padrejtësitë që, sipas tij, po tronditin ndërgjegjen njerëzore. Tërnava bëri thirrje që në vend të urrejtjes dhe dhunës të mbizotërojë dialogu, paqja dhe humanizmi.

Në fund të mesazhit të tij, Myftiu Tërnava uroi që në çdo familje të mbretërojë paqja, harmonia dhe begatia, duke lutur që Zoti t’i pranojë lutjet dhe sakrificat e besimtarëve.

“Me fat festa e Kurban Bajramit”, përfundoi urimin e tij Myftiu i Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram