Thursday, June 4, 2026
HomeLajmeKosovëVendosen tabelat me emra të rinj të rrugëve në Mitrovicën e Veriut

Vendosen tabelat me emra të rinj të rrugëve në Mitrovicën e Veriut

Në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emrat “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq”, në kuadër të procesit të riemërtimit të rrugëve. Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se 88 rrugë janë riemërtuar dhe se procesi është realizuar në bashkëpunim me institucionet komunale dhe është pjesë e një procedure teknike. Pas vendosjes së tabelave, kryetari i komunës, Milan Radojeviq, i kundërshtoi ato duke i konsideruar të paligjshme.

Pranë rrethrrotullimit në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emërtimet “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq”, në kuadër të procesit të riemërtimit të rrugëve në këtë komunë.

Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deklaroi se gjithsej 88 rrugë në Mitrovicën e Veriut kanë marrë emra të rinj dhe se emërtimet janë zgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme komunale.

Sipas saj, komiteti përgjegjës ka punuar intensivisht për dy muaj për çështjen e emërtimit të rrugëve.

“Është votuar në Kuvend dhe tani po i vendosim (emërtimet), sepse bëhet fjalë për një procedurë teknike”, deklaroi Pacolli.

E pyetur nga gazetarët për mungesën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, gjatë vendosjes së tabelave, Pacolli tha se projekti po realizohet nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Çfarëdo projekti që realizoj, e bëj si ministre dhe jo me komunën, sepse komuna tashmë e ka marrë këtë vendim”, tha ajo, duke shtuar se si ministre është e obliguar ta përfundojë pjesën teknike të punës.

Duke komentuar kritikat se vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve ishte marrë nga administrata e mëparshme komunale, e udhëhequr nga Erden Atiq, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë, Pacolli tha se vendimi ishte marrë në përputhje me dëshirat e qytetarëve.

“Kuvendi ka respektuar dëshirat e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut”, tha ajo, duke shtuar se “është e rëndësishme të respektohen dëshirat e çdo qytetari”.

“Ishte vendim i serbëve këtu që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe morën një kryetar shqiptar. Tani kanë një kryetar serb”, deklaroi Pacolli.

Ajo theksoi se banorët e Mitrovicës së Veriut kanë qenë të informuar për procesin e emërtimit të rrugëve.

“Njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, këtu në Mitrovicën e Veriut, e dinë për projektin, kanë qenë të njoftuar. Kuvendi ka punuar për këtë vitin e kaluar së bashku me qytetarët e Mitrovicës së Veriut”, tha ajo.

Pacolli nënvizoi se ndër emrat e rinj të rrugëve gjenden edhe emra të shkrimtarëve, aktorëve dhe personaliteteve të tjera të njohura serbe.

Ajo mohoi gjithashtu pretendimet se vendosja e tabelave lidhet me fushatën zgjedhore.

“Ne po bëjmë punën tonë. Kuvendi e ka marrë vendimin për ndryshimin e emrave, sepse qytetarët këtu nuk po merrnin dërgesat postare”, tha Pacolli.

Lidhur me mundësinë që ndonjë rrugë në Mitrovicën e Jugut të marrë emrin e një personaliteti serb, ajo tha se vendimet për emërtimin e rrugëve merren nga komitetet komunale.

“Në qytete të ndryshme ka emra rrugësh sipas serbëve, të cilët respektohen edhe nga shqiptarët”, deklaroi ajo.

Pas vendosjes së tabelave me emrat e rinj të rrugëve në Mitrovicën e Veriut, kryetari i kësaj komune, Milan Radojeviq, doli në terren dhe i mbuloi tabelat me pëlhurë, duke deklaruar se vendimi për emërtimin e rrugëve është i paligjshëm.

Në vendngjarje raportohet se kanë shkuar Policia e Kosovës, të cilët hoqën pëlhurën, ndërsa Radojeviq u përpoq të theksonte se vendimi ishte i paligjshëm.

Ai tha se Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut më 30 janar ka shfuqizuar aktin e mëparshëm për riemërtimin e rrugëve, duke pretenduar se ishte miratuar në kundërshtim me ligjin, pa dëgjim publik dhe pa përfaqësim multietnik në komision.

Ministria e Pushtetit Lokal, sipas tij, ka dërguar një shkresë ku rasti do të dërgohet në gjykatë si kontest.

Radojeviq gjithashtu tha se vendosja e tabelave është në kundërshtim me institucionet lokale dhe se nuk ka pasur koordinim mes komunës dhe nivelit qendror.

Ai i bëri thirrje nivelit qendror dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë ligjshmërinë.

Më 25 gusht 2025, Kuvendi i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut miratoi vendimin për riemërtimin e 87 rrugëve, ndërsa pas ndryshimeve politike lokale, më 30 janar të këtij viti u mor vendimi për shfuqizimin e tyre.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram