Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën “Brigada 128” në Prizren, duke shkaktuar dëme materiale në një veturë dhe në një shtëpi, pa raportime për të lënduar. Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore, ndërsa rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe është duke u hetuar.
Më 16.06.2026, rreth orës 03:30, Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën “Brigada 128” në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se janë zgjuar nga dy shpërthime. Si pasojë e shpërthimit është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të një viktime, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Nga ekzaminimi fillestar dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore. Motivet e rastit ende nuk dihen.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe zyrtarë policorë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti është duke u hetuar.

