Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Ekspozitën Digjitale “DheShkronjë”, në Amfiteatrin e Shtëpisë Muze në Krushë të Madhe, në kuadër të shënimit të 83-vjetorit të lindjes së Profesor Ukshin Hotit.
Ekspozita është përgatitur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, me përkrahjen e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Sipas Kurtit, kjo ekspozitë krijon një hartë të veçantë të jetës, veprës dhe trashëgimisë së filozofit, politikanit dhe veprimtarit Ukshin Hoti.
“Përmes një forme bashkëkohore të rrëfimit dhe kujtesës, Ekspozita Digjitale krijon një hartë të veçantë të jetës, veprës dhe trashëgimisë së filozofit, politikanit dhe veprimtarit, Prof. Ukshin Hoti, duke ndërlidhur kështu vendlindjen, rrugëtimin e tij jetësor, hapësirat e angazhimit politik e intelektual si dhe vendet ku sot nderohet emri dhe vepra e tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai theksoi se Ukshin Hoti nuk kufizohet në një vend apo periudhë të caktuar, por sipas tij, shtrihet kudo ku jetojnë mendimi, vepra dhe ideali i tij për liri.
“Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Ukshin Hotit”, ka shkruar Kurti.

