27 vjet pas vendimit historik për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi i demilitarizimit dhe themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës mbeten ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend.
Ky tranzicion, i realizuar nën mbikëqyrjen ndërkombëtare pas përfundimit të luftës, krijoi bazat për ndërtimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kulmuar vite më vonë me themelimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si institucioni kryesor në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Njëzet e shtatë vjet më parë, në malet e Berishës, udhëheqja e Kosovës mori vendimin për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke hapur një kapitull të ri në rrugën e ndërtimit të institucioneve të pasluftës.
Marrëveshja për transformimin e UÇK-së parashihte faza të ndryshme, përfshirë dorëzimin e armëve, mbajtjen e përkohshme të uniformave, si dhe integrimin e një pjese të ish-pjesëtarëve të saj në polici, administratë publike dhe institucione të tjera.
Ky proces u zhvillua në një periudhë prej 90 ditësh, pas së cilës u përmbyll demilitarizimi i plotë i UÇK-së.
Më 20 shtator 1999 u nënshkrua marrëveshja për themelimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës-TMK, një strukturë e konceptuar jo si forcë ushtarake, por si organizatë civile emergjente për reagim ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.
Marrëveshja u nënshkrua nga Hashim Thaçi, në cilësinë e komandantit politik të UÇK-së, dhe Agim Çeku, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa u pranua nga gjenerali britanik, Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë.
Këtë e quan moment historik dhe të rëndësishëm njëri nga personat që ishte i përfshirë në proces, gjenerali Kadri Kastrati.
E tani pas më shumë se 2 dekadash, Kastrati flet për Forcën e Sigurisë së Kosovës së tanishme, të cilën e quan krenari të vendit.
Transformimi i UÇK-së dhe krijimi i TMK-së shihen si një ndër etapat më të rëndësishme në procesin e ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë në Kosovë, ku TMK-ja u konsiderua nga shumë ish-pjesëtarë si vazhdimësi e përpjekjeve për krijimin e një force mbrojtëse vendore, vizion që u realizua vite më vonë me formimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës përfaqëson institucionin kryesor të mbrojtjes së vendit, me mision për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe me synimin për të kontribuar në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse krah partnerëve të saj ndërkombëtarë.

