Edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, fati i 1560 personave vazhdon të mbetet i pazbardhur. Institucionet vendore dhe përfaqësues ndërkombëtarë kërkojnë zbardhjen e së vërtetës, ndërsa familjarët vazhdojnë të presin informacione për më të dashurit e tyre.
Njëzet e gjashtë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, 1560 persona vazhdojnë të figurojnë në listën e të zhdukurve. Vetëm në rajonin e Prishtinës, ende konsiderohen të zhdukur 185 persona.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të kërkojnë të drejtën elementare për të ditur fatin e më të dashurve të tyre. Ajo akuzoi Serbinë për mungesë bashkëpunimi, duke theksuar se arkivat ushtarake, policore dhe shtetërore vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
Haxhiu kritikoi gjithashtu misionet ndërkombëtare që vepruan në vitet e para dhe pas luftës, duke vlerësuar se nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ndërkaq, ajo vlerësoi punën e institucioneve vendore në hetimin e krimeve të luftës.
BIRN Kosova, në bashkëpunim me organizatën ACDC nga Mitrovica e Veriut, prezantoi një projekt për dokumentimin e historive të personave të zhdukur, pa dallim përkatësie etnike.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se ruajtja e kujtesës dhe dokumentimi i dëshmive mbeten thelbësore për zbardhjen e së vërtetës dhe parandalimin e përsëritjes së konflikteve.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani mbi 900 trupa të viktimave të luftës janë kthyer nga Serbia në Kosovë, ndërsa fati i 1560 personave vazhdon të mbetet ende i pa zbardhur.

