Dhuna ndaj fëmijëve vazhdon të mbetet shqetësim serioz, ndërsa raportimi i rasteve shpesh mbetet sfidë. Për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve dhe për të lehtësuar denoncimin e shkeljeve të të drejtave të tyre, është lansuar një projekt që do të pilotojë një platformë digjitale për raportim të sigurt, me synim identifikimin më të shpejtë të rasteve dhe reagimin e institucioneve përgjegjëse
Ky projekt synon të pilotojë dhe zhvillojë një aplikacion/platformë digjitale, e cila do t’u mundësojë fëmijëve dhe dëshmitarëve të raportojnë në mënyrë të sigurt rastet e dhunës dhe shkeljet e të drejtave të fëmijëve.
“Qëllimi i këtij projekti është që teknologjia të mos shihet si qëllim në vetvete, por si një instrument dhe mjet që ndihmon në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të drejtës themelore për mbrojtje”, tha Pajtim Zeqiri nga Terre des Hommes Kosovë.
Projekti lidhet me krijimin e një mekanizmi që do të mundësojë raportimin dhe trajtimin më efikas të rasteve që prekin fëmijët.
“Projekti që po lansohet është një rrugëtim që do ta ndihmojë këtë mekanizëm të pilotohet, duke mundësuar raportimin, identifikimin e rasteve dhe përcaktimin e masave e veprimeve që institucionet duhet t’i ndërmarrin për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit.
Po ashtu, u theksua rëndësia e sigurisë së fëmijëve edhe në hapësirën digjitale.
“Sa i rëndësishëm është komunikimi me fëmijët për t’i ndërgjegjësuar dhe mbrojtur, po aq i rëndësishëm është edhe kujdesi që ata të mos bien pre e keqbërësve, qoftë në jetën reale, qoftë në internet dhe nga krimet kibernetike”, tha Krenare Sogojeva-Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Ngjarja e lansimit do të bashkojë përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.

